KRYEFAQJA » LAJME » Reshjet e shumta, dëme të jashtëzakonshme në bujqësi e në banesa
Reshjet e shumta, dëme të jashtëzakonshme në bujqësi e në banesa

Reshjet e shumta, dëme të jashtëzakonshme në bujqësi e në banesa

Pas reshjeve të shumta të shirave të rëna gjatë natës dhe ditës së sotme lumi Ishëm ka dalë nga shtrati. Kjo gjendje ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në bujqësi e në banesa. Përmbytjet vazhdojnë në fshatrat Bilaj, Hasan, Derven, Murqinë, Mazhe e madhe, Mazhe e vogël, Mallkuc, Gjuricë, Sukth. Pjesa më e madhe e banesave në këto fshatra janë të rrethuara tërësisht nga uji dhe një numër mjaft i madh i tyre është i përmbytur ku uji ka hyrë nëpër to duke shkaktuar dëme në orendi e pajisje.

Po ashtu dëme të mëdha janë bërë në të mbjellat dhe në bazën ushqimore të blegtorisë. Situata vazhdon të përkeqësohet pasi niveli i ujit po rritet. Në Shkodër nga përmbytjet janë nën ujë rreth 360 ha tokë. Zonat më të prekura janë njësitë Administrative Dajç, Guri i Zi, Vau Dejës, Ana Malit, Postribë. Gjithashtu është dëmtuar argjinatura e Darragjatit në dy segmente. Ndërkohë janë marrë masat nga strukturat e emergjencave pranë kësaj Bashkie në bashkëpunim me strukturat e FNSH për të bërë evakuimin e disa familjeve.

Në Njësinë Administrative Bërdicë, ka mungesë të energjisë elektrike në të gjithë njësinë. Në qarqet e tjera nuk raportohen situata problematike.