KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Rezultat i papritur i presidencialeve në Austri
austri

Rezultat i papritur i presidencialeve në Austri

Askush nuk e priste por zgjedhjet për presidentin e Austrisë u kthyen në barazim, 50 me 50, për Norbert Hofer, populistin e djathtë e Alexander van der Bellen, liberalin e majtë. Mbrëmja e së hënës sjell rezultatin përfundimtar. Kandidati i majtë liberal, Alexander van der Bellen ka një avantazh të lehtë me rreth 3000 vota. Ndërsa kandidati populist i djathtë, Norbert Hofer i ka shpresat tek votimet e bëra me letër që numërohen sot. Sipas ekspertëve ato mund të bëjnë një dallim deri në 32.000 vota.
“Kjo është nata zgjedhore më interesante që kam përjetuar ndonjëherë”, është shprehur Norbert Hofer, kur me pak vonesë ai doli para kamerave në Hofburg. Asnjëherë nuk ka pasur një interesim kaq të madh për zgjedhjen e presidentit në Austri, bëri të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë. Ndëkohë që numëroheshin votat, kandidati Hofer takoi rivalin e majtë liberal, Alexander van der Bellen. Pas një fushatë zgjedhore shumë të ashpër, papritur u dëgjuan tone të zbutura. “Së pari dua t’i shpreh Norbert Hoferit respektin dhe sigurisht të falënderoj votuesit”, u shpreh van der Bellen. “Në fund të fundit ne të gjithë duam të punojmë për Austrinë”, u shpreh Hofer.