KRYEFAQJA » LAJME » Rikonstruktohet “Don Bosko” zhduken telat në ajër

Rikonstruktohet “Don Bosko” zhduken telat në ajër

Rruga Don Bosko në kryeqytet është e vetmja që nuk mbulohet nga telat e varur në ajër. Përmes ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës janë zhvendosur nën tokë kabllot e shërbimit të telefonisë dhe internetit si dhe janë rikonstruktuar trotuaret, duke bërë të mundur edhe zgjerimin e rrugës në disa pika. Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se i njëjti standard do të ndiqet edhe në rikonstrukisonin e rrugëve të tjera.

Më në fund, kemi një rrugë me trotuare të bollshme, është e para rrugë në Tiranë ku janë zhdukur totalisht telat e varur, pra kemi çliruar rrugën e parë. Mbi 230 shtylla janë eliminuar, janë vendosur nën tokë”, Apeli që u bëjmë kompanive të cilat ofrojnë shërbimin internetit apo shërbime kabllore është që në rrugët e reja ku po investon bashkia, të bashkëpunojnë për të eliminuar të gjitha shtyllat, pengesat e mobilerinë urbane, e cila shkakton shumë stres në qytet, që të sjellim në këtë standard të gjitha rrugët e qytetit” tha zoti Veliaj.

Kreu i bashkisë Veliaj lajmëroi gjithashtu se në këtë rrugë do të prishen disa ndërtime, të cilat përbëjnë rrezik për jetë dhe pronën e qytetarëve.

Janë planifikuar disa prishje të ndërtimeve mbi kolektorë, situata të paktën në pjesën kryesore të rrugës “Don Bosko” ka qenë më e mirë nga përmbytjet, falë pastrimeve po shfrytëzojmë diellin, vazhdojmë me pastrimin, por na duhet bashkëpunim nga të gjithë. Ata që kanë ndërtuar mbi kolektorë do transferohen, do u ofrojmë një mundësi tjetër banimi, por nuk do lejohen më mbi kolektorë” tha zoti Erion Veliaj.

Në rrugën “Don Bosko”, janë krijuar edhe 4 vendqëndrime për autobusët dhe vendgrumbullimet e plehrave në të dy anët e saj.