KRYEFAQJA » LAJME » Rikonstruktohet kopshti publik në Sauk
veliaj

Rikonstruktohet kopshti publik në Sauk

Një tjetër kopësht publik i transformuar, pas ndërhyrjes së bashkisë së Tiranës është ai në Sauk. Femijët që e frekuentojnë do të kenë kushte më të mira, si dhe një hapësirë të posaçme me lodra. Në përurimin e tij kryebashkiaku përsëriti angazhimin se shtatori do t’i gjejë të gjitha kopshtet publike të kryeqytetit me kushte më të mira. “Është një punë që bëhet me shumë dashuri, e cila u vjen në ndihmë edhe prindërve të cilët duan t’i çojnë fëmijët e tyre në një ambient të sigurt. Veç rikonstruksionit, nga shtatori ky kopësht do të kthehet në një kopësht me drekë. Më vjen mirë që kemi rikuperuar gjysmën e ndërtesës, e cila më parë ishte totalisht jashtë përdorimit. Sot është në dispozicion të fëmijëve”, tha kryebashkiaku Veliaj. Sipas kryebashkiakut janë rritur kërkesat e prindërve për të çuar fëmijët në institucionet publike të edukimit. Për Veliaj ky është tregues i rritjes së cilësisë së shërbimit në këto institucione. “Jemi në një situatë të paimagjinueshme, krahasuar me një vit më parë. Jo vetëm kopshtet publike kanë shumë më shumë kërkesë se kopshtet private, por edhe cilësia është rritur jashtë mase. Sot, për një vend në kopshtet publike kemi rreth 11 kërkesa, çka do të thotë se jemi para një sfide, por sigurisht është edhe një kompliment sepse më në fund në Tiranë institucionet publike funksionojnë më mirë se institucionet private. Ndaj, më vjen mirë që për herë të parë, besimi te publikja është kthyer dhe kjo pasi publikja po ofron një cilësi shumë të mirë.” Bashkia planifikon të kryejë disa investime që kanë në fokus fëmijët. Të tilla janë 11 këndet e lojrave në lagjet e Tiranës, që do të pasojnë atë të përuruar pak ditë më parë në rrugën Mine Peza.