KRYEFAQJA » LAJME » Rikthehet Topi i Artë, përfundon marrëdhënia me FIFA-n
Topi i Artë: Rregullat e reja për dhënien e çmimit

Rikthehet Topi i Artë, përfundon marrëdhënia me FIFA-n

Lamtumirë FIFA Ballon d’Or, ja rikthehet Topi i Artë një ekskluzivë e France Football. Lajmi ishte shfaqur në të përditshmen spanjole sportive Mundo Deportivo, që më pas është pohuar edhe nga revista e njohur franceze. Njoftimin e bëri Groupe Amaury, që kontrollon edhe revistën France Football, pas prishjes me FIFA-n, pra çmimin për lojëtarin më të mirë të vitit do ta japë përsëri revista franceze, duke u ndarë nga FIFA pas shkrirjes në vitin 2010. Për këtë shkrirje, presidenti i FIFA-s i asaj kohe, Joseph Blatter, kishte dhënë për Groupe Amaury 15 milionë euro.

Në faqen e internetit të France Football lexohet se çmimi me FIFA-n “i përket së shkuarës”. Formula e ndërthurur parashikonte një çmim të vetëm që jepej nga FIFA dhe France Football sëbashku, por pas një muaji bisedimesh nuk u arrit një marrëveshje e re mes palëve. Pra, duke përjashtuar pendimin, çmimi kthehet në të moçmen, që jepet nga vota e gazetarëve, ndërsa FIFA do të jetë gati për të dhënë përsëri një çmim të vetin.

Në bazë të kësaj prishjeje mendohet të jetë edhe vullneti i presidentit të ri të FIFA-s, Gianni Infantino. Ish-sekretari i përgjithshëm i UEFA-s do të donte një çmim të pavarur, siç ishte para vitit 2010 FIFA World Player, një çmim 100% i dhënë nga organi botëror i futbollit, i pavarur nga votimi i gazetarëve. Akoma nuk njihen detajet, që mund të njoftohen të martën e ardhshme, por Infantino është këmbëngulës për këtë zgjidhje. Çmimi i ri do të mbetet pra kundërshtar me Topin e Artë, që u krijua në vitin 1956, dhe që France Football nuk ka ndërmend ta vërë mënjanë.

Çmimi sipas formulës nga 2010-ta deri sot jepej në bazë të votave të trajnerëve dhe kapitenëve të 208 kombëtareve, përveç 208 votave të gazetarëve, siç e ka traditë Topi i Artë, një për çdo federatë bijë të FIFA-s. Këtë e kanë fituar vetëm Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo: katër herë argjentinasi, dy herë portugezi, që ka përparësi për ta fituar edhe këtë vit. Me formulën e re, që nuk është e re, Topi i Artë kthehet të jetë një çmim vetëm për gazetarë, ndërsa është e logjikshme të mendohet se Infantino do të krijojë një FIFA World Player të të ri, ndoshta me një emër tjetër, që do të përfshijë trajnerë dhe futbollistë.