KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Rindizet çështja e refugjatëve; Libia nuk do marrëveshje me BE, Austria planifikon bllokimin e hyrjes në Evropë
refugjate

Rindizet çështja e refugjatëve; Libia nuk do marrëveshje me BE, Austria planifikon bllokimin e hyrjes në Evropë

Libia kundërshton një marrëveshje me BE-në për refugjatët, ndërsa Austria planifikon të mbyllë rrugët e hyrjes në Europë përmes Mesdheut. Kryeministri i ri i Libisë, Fajis al-Sarradsh ka refuzuar një ripranim të refugjatëve nga Europa, sipas modelit që BE arriti me marrëveshjen BE-Turqi. “Ne nuk do të pranojmë që BE t’i kthejë emigrantët tek ne”, tha Seradsh për gazetën gjermane “Welt am Sonntag.” “Europa duhet të gjejë rrugë për t’i kthyer refugjatët në vendlindjen e tyre. Ata nuk mund të jetojnë tek ne”, thotë ai. Për shkak të rritjes së mundshme të valës së refugjatëve nga Libia, ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere kishte përmendur në prill mundësinë e zgjidhjes me një marrëveshje me Libinë, sipas modelit me Turqinë. “Mund të mendohet për qendra pranimi në Afrikën e Veriut”, ka thënë ministri i Brendshëm gjerman. Prandaj për të pasur një partner në bisedime, Perëndimi e mbështeti krijimin e një qeverie koalicioni në Libi, të dalë pas luftimeve të grupimeve të armatosura. Por drama e refugjatëve vazhdon. Vetëm të dielën Gjysmëhëna e Kuqe ka informuar për gjetjen e 133 kufomave në qytetin Suvara, në brigjet libiane, shumica femra e të paktën 5 fëmijë. Sipas drejtorit, Al-Chamis al Bousafi personat nuk kanë pasur dokumente, por shumica mund të jenë persona që vijnë nga rajonet e Saharasë jugore. Aktualisht itinerari nga Afrika Veriore përmes Detit Mesdhe është më i përdoruri nga refugjatët që duan të hyjnë në Europë. Austria ishte vendi që këmbënguli për mbylljen e itinerarit në bashkëpunim me vendet e Ballkanit. Tani ky vend kërkon të bllokojë edhe rrugët detare. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz ka kërkuar që BE-ja të marrë masa frikësuese për njerëzit që duan të vijnë përmes Mesdheut në Europë. Ministri i Jashtëm i Austrisë kërkon ngritjen e qendrave të OKB-së në vendet origjinë, dhe aty të shtrohen kërkesat për azil. Kurz kërkon që BE të marrë pjesërisht modelin e Australisë.