KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Rinis fushata në Britani
Rinis fushata në Britani

Rinis fushata në Britani

Pas një ndërprerjeje dy ditore të fushatës britanike “Pro” apo “Kundër” qëndrimit të vendit në BE, palët iu rikthyen fjalimeve në mbështetje të pozicionit të tyre. Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, vazhdon të këmbëngulë se Mbretëria e Bashkuar ballafaqohet me një zgjidhje ekzistenciale në referendumin e 23 qershorit, duke e cilësuar si një hap që nuk lejon kthim prapa. Zoti Kameron, i cili e udhëheq fushatën për qëndrim në BE, ka tërhequr vërejtjen në një varg shkrimesh në gazeta për rreziqet nëse përkrahet vizioni i politikanit, Najgel Farexh, i cili është për largim të Britanisë nga BE-ja, duke e quajtur atë kthim prapa. Nga ana tjetër, politikani konservator, Boris Johnson, aktivist i zëshëm për largim nga BE-ja, thote se dalja e vendit nga organizata, u ofron votuesve një herë në jetë rastin për ta ndryshuar jetën britanike. Fushata rinisi sot, pasi ishte pezulluar për shkak të vrasjes së ligjvënëses, Xho Koks, e cila ishte mbështetëse e qëndrimit të Britanisë në BE.