KRYEFAQJA » LAJME » Rinis operacioni antikanabis në Dukagjin
Rinis operacioni antikanabis në Dukagjin

Rinis operacioni antikanabis në Dukagjin

Prej orës 7 të mëngjesit të së mërkurës forcat e policisë së shtetit rinisën operacioni antikanabis në Dukagjin, njofton gazetari i TVSH Kreshnik Mersinllari. Operacioni po zhvillohet në territorin e njësisë administrative Shoshaj, ku sapo ka filluar shkatërrimi i parcelave të para të kultivuara me bimë narkotike.
Në ditën e  parë të tij operacioni antikanabis u zhvillua pranë fshatrave Ndreaj, Brashtë, Pylaj, Bob, Vuksanaj dhe Breg Lumi në zonën e Dukagjinit. Më herët gjatë një kontrolli ajror në këtë zonë policia arriti të vërejë parcela të shumta të mbjella me kanabis sativa.  Në  operacion janë përfshirë më shumë se 450 policë dhe 70 automjete. Në bazë të planit të hartuar, operacioni do të zgjasë disa ditë dhe në drejtimin e tij janë vënë që tani drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit.
Në informacionin zyrtar të ditës së parë të operacionit u raportua për të paktën  147 parcela të shkatërruara me 17 mijë e 890 bimë narkotike. Për çdo parcelë të shkatërruar grupet hetimore sekuestrojnë si provë materiale bimën narkotike dhe më pas japin lejen e shkatërrimit të saj në vend. Nëpërmjet kësaj metode, operacioni antikanabis bën të mundur evidentimin dhe më pas shkatërrimin e lëndëve narkotike, duke patur në fokus edhe kapjen e kultivuesve.