KRYEFAQJA » LAJME » RIO 2016: BRAZIL-GJERMANI, FINALJA E FUTBOLLIT TË MESHKUJVE
EPA/JAVIER ETXEZARRETA
EPA/JAVIER ETXEZARRETA

RIO 2016: BRAZIL-GJERMANI, FINALJA E FUTBOLLIT TË MESHKUJVE

Do të jetë një duel gjigandësh finalja e turneut olimpik të futbollit të meshkujve, pasi për kurorën e artë do të përballen me njëra-tjetrën Brazili dhe Gjermania. Përfaqësuesja vendase, e cila është në një mision të dëshpëruar për të gjetur të parën medalje të artë olimpike në histori, pavarsisht se është 6 herë kampione e botës në futbollin e të rriturve, ka shpartalluar Hondurasin me rezultatin 6-0, duke siguruar biletën për në finale. Ylli i Brazilit, Nejmar, shënoi golin më të shpejtë në historinë e futbollit olimpik, pas vetëm 15 sekondash, duke vijuar të shënojë edhe në skajin tjetër kohor të ndeshjes, për të vulosur një fitore historike. Nga ana tjetër, gjermanët u mjaftuan me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje, për të mundur Nigerinë 2-0 dhe për të siguruar finalen e madhe të së shtunës ndaj Brazilit vendas.