KRYEFAQJA » LAJME » “Rio 2016”, Brazili merr masa për të luftuar Zikën në prag të Olimpiadës
rio

“Rio 2016”, Brazili merr masa për të luftuar Zikën në prag të Olimpiadës

Pavarësisht garancive që janë dhënë nga organizatorët, rreziku i virusit Zika është i pranishëm dhe kërcënues në Brazil, ku po përgatiten të mbahen Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Çdo mëngjes herët bëhet dezinfektimi i mjediseve publike, kryesisht rrugëve, nga një automjet i pajisur me aparaturat përkatëse. Virusi Zika ka shkaktuar panik midis sportistëve pjesëmarrës në këto Lojëra Olimpike. Madje, pak muaj më parë, Komiteti Olimpik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u pati bërë të ditur federatave sportive anëtare të saj që sportistët dhe stafi që janë të shqetësuar për shëndetin e tyre për shkak të virusit “Zika”, mund të shqyrtojnë mundësinë që të mos udhëtojnë fare në Lojërat Olimpike të gushtit. Virusi Zika mund të shkaktojë mikrocelafi, deformim që karakterizohet nga koka e vogël e të sapolindurve dhe probleme të tjera që lidhen me zhvillimn e tyre. Të paktën 1,300 raste të mikrocelafisë janë konfirmuar deri tani në Brazil, dhe mijëra të tjerë janë nën hetim për konfirmimin e shkakut.