KRYEFAQJA » LAJME » Bota » “RIO 2016”, Epopeja “Majkëll Felps” vazhdon
EPA/PATRICK B. KRAEMER
EPA/PATRICK B. KRAEMER

“RIO 2016”, Epopeja “Majkëll Felps” vazhdon

Në një shpalosje të paharrueshme të fuqisë olimpike, Majkëll Felpsi fitoi edhe dy gara të tjera, duke e çuar bilancin e tij historik, një rekord i të gjitha kohërave, në 21 medalje të arta dhe duke përjetësuar statusin e tij legjendar. Felpsi e mposhti japonezin Masato Sakai me vetëm 4 të qindtat e sekondës, duke marrë të artën në 200 m flutur dhe, më pas, e udhëhoqi katërshen amerikane drejt triumfit në stafetën e 4 x 200 metrave stil i lirë. Tanimë 31 vjeç dhe medalisti i artë më i vjetër në historinë e notit nëpër Olimpiada, Felpsi ka treguar se mbetet mbreti i pishinës. Pasi fitoi më herët medaljen e 20-të të artë në 5 Lojëra Olimpike, duke mundur rrugës edhe rivalin e vjetër, Çed lë Klos, Felpsi qëndroi në ujë si një perandor romak, ndërsa kthehet të mërkurën në mbrëmje në pishinë me synimin për një tjetër medalje, atë të 200 metrave individuale të përziera dhe për të shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e notit botëror.