KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Rio 2016, fiton SHBA-ja
Olympic Games 2016, rio, Athletics, Track and Field, USA wins
EPA/BERND THISSEN

Rio 2016, fiton SHBA-ja

Festivali më i madh sportiv në planet, Lojërat Olimpike, ka mbyllur në orët e para të mëngjesit të së hënës, me orën e Tiranës, edicionin e tij të 31-të dhe tanimë është koha për të bërë një bilanc. Kjo Olimpiadë shpërndau 2,102 medalje gjithsej në 302 gara të 28 disiplinave sportive, që i fituan nga sportistë nga 87 vende të botës. “Rio 2016” janë mbyllur tanimë edhe zyrtarisht, duke kurorëzuar si kampione ekipore Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me 46 të arta, 37 të argjendta dhe 38 të bronzta, pra, me 121 medalje gjithsej, apo thënë ndryshe afro 5.75 % e 2,102 medaljeve të dhëna në këtë Olimpiadë, amerikanët kanë lënë dukshëm prapa Britaninë e Madhe, që u rendit e dyta, dhe Kinën, që e mbylli e 3-ta. Rusia, Gjermania, Japonia, Franca, Koreja e Jugut, Italia dhe Australia plotësojnë 10-shen e të parëve. Në fakt, britanikët kanë marrë 3 medalje më pak sesa kinezët, por kanë marrë një medalje të artë më shumë dhe kjo i ngjit një shkallë më lart. Nga ana tjetër, pavarsisht skandalit të dopinut, Rusia ia doli të grumbullojë 56 medalje. Pavarsisht dominimit të SHBA-së, kontinenti amerikan si i tërë ka marrë vetëm 22% të këtyre medaljeve, ku shumicën, plot 48 % i ka marrë Evropa. 21 % të medaljeve i ka fituar kontinenti aziatik, ndërsa Australia dhe Oqeania, nga njëra anë, dhe Afrika, nga ana tjetër, kanë ndarë nga 5 % të medaljeve.