KRYEFAQJA » LAJME » Bota » “RIO 2016” në RTSH nis me futbollin e femrave

“RIO 2016” në RTSH nis me futbollin e femrave

Edhe pse duan edhe dy ditë ta ngrenë zyrtarisht siparin e tyre, Lojërat Olimpike “Rio 2016” kanë nisur me turneun e futbollit të femrave, edhe sepse janë një numër më i madh skuadrash, por dhe ndeshjesh, të cilat duhen luajtur sa më shpejt. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili është edhe transmetuesi zyrtar i këtyre Lojërave Olimpike në vendin tonë, ka sjellë për sportdashësit 3 prej këtyre ndeshjeve. Kështu, duke nisur nga ora 18:00, është luajtur takimi midis Suedisë dhe Afrikës së Jugut, i vlefshëm për grupin E, që është fituar minimalisht nga nordiket. Ndërkaq, duke nisur nga ora 21:00, po në kuadër të këtij grupi, është luajtur superdueli Brazil-Kinë, që është fituar nga amerikanolatinet me rezultatin 3-0. Ndërsa sfida e tretë, është ajo që është luajtur duke nisur nga ora 23:00, midis Zimbabves dhe Gjermanisë. Kjo ndeshje, pamje të së cilës na përcjell kjo kronikë, është fituar thellësisht nga gjermanet me shifrat 6-1. Edhe të enjten Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë 3 ndeshje të tjera të Turneut Olimpik të futbollit të Femrave, për të kulmuar të premten, duke gdhirë e shtuna, në ora 01:00 pas mesnate, me spektaklin e Ceremonisë së Hapjes. Sot nis dhe turneu i futbollit për djemtë.