KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Riparohet një nga kutitë e zeza të avionit egjiptian Airbus A320

Riparohet një nga kutitë e zeza të avionit egjiptian Airbus A320

Regjistruesi i të dhënave të fluturimit, ose siç quhet ndryshe një nga kutitë e zeza të avionit Airbus A320, i cili u rrëzua muajin e shkuar ndërsa po fluturonte nga Parisi në Egjipt, është riparuar në mënyrë të suksesshme në një laborator në Francë. Së shpejti pritet të fillojë puna për riparimin edhe të kutisë së dytë, që është regjistruesi i zërit të kabinës, duke i hapur kështu rrugë analizimit të të dhënave nga ekspertët, në mënyrë që të zbulohet shkaku i rrëzimit të mjetit. Në datën 19 maj, avioni Airbus A320 u rrëzua në Mesdhe ndërsa po fluturonte nga Parisi për në Kajro, duke shkaktuar vdekjen e të 66 personave që ndodheshin në bordin e tij. Shkaqet e ngjarjes mbeten akoma një mister, duke i hapur rrugë spekulimeve të shumta që shkuan nga sulmi terrorist e deri tek një defekt teknik. Ndërkohë, një zëdhënëse e prokurorisë së Parisit, i tha dje agjencisë së lajmeve “Associated Press”, se pala franceze do të fillojë ta hetojë çështjen si aksident pasi nuk ka asnjë provë që e lidh atë me terrorizmin.