KRYEFAQJA » LAJME » Ristani për përgjimet: Rama po pengon hetimin
Arben-Ristani

Ristani për përgjimet: Rama po pengon hetimin

PD iu rikthye sot akuzave ndaj kryeministrit Rama, për pengim të hetimit në çështjen e pajisjes së përgjimit. Arsyeja e kësaj sipas sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, është fshehja e faktit se pajisja ka lëvizur pranë institucioneve të rëndësishme të vendit, përfshirë dhe Prokurorinë. “Pajisja e përgjimit të paligjshëm është përdorur në zonat pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në Rrugën e Elbasanit, pranë Televizionit Publik dhe pranë Bashkisë së Tiranës. Të paktën këto katër lëvizje janë dokumentuar, siç bën të ditur media që i referohet një raporti sekret të SHISH, raport që i është dorëzuar Presidentit, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Krimi shtetëror i përgjimit të paligjshëm ka ndodhur, cenimi i sigurisë kombëtare ka ndodhur, shkelja brutale e Kushtetutës e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka ndodhur. Zbardhja e ngjarjes, zbardhja e plotë e përgjegjësive do të ishte goditja fatale ndaj Edi Ramës, ndaj ai po përdor të gjitha format e presionit e kërcënimit kundër gjykatës dhe prokurorisë. Por ky krim i rëndë shtetëror peshon më shumë se e ardhmja e fati personal i një njeriu. Ndaj duhet hetuar e zbardhur deri në fund.”