KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Robert Ndrenika mbush sot 75 vjeç

Robert Ndrenika mbush sot 75 vjeç

Aspak nuk do të donim t’i kujtonim vitet që mban mbi supe, por thjesht për gjithçka na ka dhuruar, Artisti i Popullit Robert Ndrenika, meriton sot urimin për një jetë sa më të gjatë e të shëndetshme. Mjafton të përmendet emri i tij dhe rolet që ai ka lënë në kinematografinë dhe teatrin shqiptar të vijnë rrjedhshëm në kujtese role të padiskutueshme, personazhe negative e pozitive, tragjike e komike, karaktere të realizuara me mjeshtëri nga Ndrenika kanë bërë që jo vetëm ato role, por edhe filmat të bëhen të pavdekshëm. Pavarësisht ngjyrimit politik që ato mund të kenë patur hera-herës, Ndrenika i përcolli aq bukur te publiku, sa gjithçka është sfumuar dhe kushdo ka arritur ta admiroje rolin e qendisur nga Nderi i Kombit Robert Ndrenika.

Me interpretimet e tij, në skenë dhe ekran, Ndrenika na ka bërë sa të qeshim aq dhe të qajmë, për këtë ai mbetet i pakrahasueshëm dhe vështirë i zëvëndësueshëm, të paktën deri më sot.

I lindur në Tiranë në vitin 1942, pas diplomimit për aktor, Ndrenika nisi të punonte në teatrin “Skampa” në Elbasan. Ndërsa në Teatrin Kombëtar ai nisi të punonte që prej vitit 1974 deri sa doli në pension. “Shumë zhurmë për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Prefekti”, “Familja e peshkatarit”, “6 vjet shtatzënë”, “Jashtë bie borë” janë disa nga veprat teatrale ku ai ka interpretuar.

Në kinematografi numërohen mbi 30 filma, si: “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Mësenjtorja” etj. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm Robert Ndrenika mban titujt Artist i Popullit dhe Nder i Kombit.