KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Romeo dhe Zhuljeta” premierë në TOB
"Romeo dhe Zhuljeta" premierë në TOB

“Romeo dhe Zhuljeta” premierë në TOB

Pas 65 vitesh një premiere absolute si opera “Kapuletët dhe Montegët” ose “Romeo dhe Zhuljeta” solli në Shqipëri shijen e mirë të notave beliniane. Një premierë e cila u ishte besuar kreativitetit dhe potencialit femëror. Drejtimi i orkestrës nga Elda Laro, regjia në duart e Ailyn Bozok nga Turqia, madje edhe roli i Romeos vinte në sharmin dhe vokalin e një femre si mezzosoprano Vikena Kamenica. Një sinergji e jashtëzakonshme u krijua mbrëmjen e së djelës në premierën zyrtare në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit ku ashtu siç pritej ai u pushtua nga artëdashësit. Ata ndjenë dashurinë dhe tragjedinë që ripërsëritej në rivalitetin e dy familjeve, Kapuletëve dhe Montegëve, për të parë se çfarë sjell lufta dhe armiqësia.
Të veshur në petkat e ideuara nga Ardi Asllani, të cilat evokonin kohën në të cilën zhvillohej tragjedia e Romeos dhe Zhuljetës ato vizatonin një atmosferë magjike duke e mahnitur publikun. Sopranoja  Eva Golemi jetesonte Zhuljeten, një rol i deshiruar prej saj prej kohesh dhe me një vështirësi jo të pakët vokale.
Ndërsa Vikena Kamenica përcolli tek publiku me një vokal mbresëlënës. një Romeo 14 vjeçar, ashtu siç e ka shkruar Belini, pasionant dhe ëndërrimtar.
Ndërsa ka kaluar me sukses sprovën e premierës “Kapuletët dhe Montegët” ose “Romeo dhe Zhuljeta”, do të vijë para publikut edhe në fundjavën e ardhshme nga data 24 deri me 27 mars.