KRYEFAQJA » LAJME » Rosberg fiton Çmimin e Madh në Kinë
Rosberg fiton Çmimin e Madh të Kinës

Rosberg fiton Çmimin e Madh në Kinë

Çmimi i Madh i Kinës në Formula 1 është karakterizuar nga një garë dramatike të dielën, por piloti i Mercedesit, Niko Rosberg, e la gjithçka prapa, duke korrur fitoren e 6-të radhazi në nivelin më të lartë të automobilizmit botëror. Podiumin në Shanghai e plotësuan piloti i Ferrarit, Sebastian Fetel, dhe ai i “Red Bull”-it, Danil Kvjat. Pasi kryesoi në fillim, përpara se të pësonte një gomë të shpuar, Daniel Riçiardo vijoi të plotësonte një ditë të mirë për skuadrën e “Red Bull”-it, duke marrë vendin e 4-t, i ndjekur nga pas nga “Ferrari” i dytë i Kimi Raikonenit dhe “Uilliams”-i i Felipe Masës. Ljuis Hemiltoni, i cili e nisi nga vendi i fundit me “Mercedes”-in e tij, pas problemeve në prova, mbijetoi në një pasdite luftarake në pistën e Shanghait dhe, përtej 5 “pit stop”-eve, arriti të merrte vendin e 7-të, duke lënë prapa dy pilotët e “Toro Rosos”, Maks Verstapenin dhe Karlos Sainzin. Dhjetëshen e të parëve e plotësoi piloti i Uilliamsit, Valteri Botas, ndërsa duhet theksuar, përtej aksidenteve që e karakterizuan garën, të 22 makinat pjesëmarrëse e arritën finishin. Në renditjen e pilotëve, Rosbergu kryeson me 75 pikë, thuajse dyfishin e Hemiltonit, që mban vendin e dytë me 39. Riçiardo është i treti me 36, i ndjekur nga Feteli me 33 dhe Raikoneni me 28. Në renditjen e konstruktorëve, “Mercedes”-i ka 114 pikë, i ndjekur nga “Ferrari” me 61, “Red Bull”-i me 57 dhe “Uilliams”-i me 29.