KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Rreth 600 migrantë që janë shpëtuar nga mbytja në Mesdhe mbërrijnë në një port të Reggio Kalabrias
Rreth 600 migrantë që janë shpëtuar nga mbytja në Mesdhe

Rreth 600 migrantë që janë shpëtuar nga mbytja në Mesdhe mbërrijnë në një port të Reggio Kalabrias

Kanë mbërritur në një port të Reggio Kalabrias 600 migrantë të cilët u shpëtuan nga mbytja në Mesdhe. Por bashkë me ta edhe trupat e 45 personave që janë gjetur në det. Mes tyre edhe trupat e tre fëmijëve. Gjatë ditëve të fundit, të paktën tre anije janë mbytur në kanalin sicilian në përpjekje për të arritur brigjet italiane, duke shtruar mundësinë për numër shumë të madh viktimash. Për shkak të kësaj situate, Papa Françesku bëri dje thirrje për mirësi dhe mikpritje për migrantët që largohen nga vendet e tyre për shkak të luftës dhe varfërisë. “Migrantët nuk janë të rrezikshëm, por ata janë në rrezik”, u shpreh ati i shenjtë gjatë një takimi të organizuar në Vatikan me qindra fëmijë. Mes tyre edhe një djalë nga Nigeria, prindërit e të cilit ishin mbytur duke u përpjekur për të arritur në Itali. Duke mbajtur në duar një jelek shpëtimi, Ati i Shenjtë sqaroi se atë ia kishte dhënë një anëtar i operacioneve të kërkim-shpëtimit. “Ma solli këtë jelek, dhe duke qarë, me tha: At unë dështova. Ishte një vajzë e vogël mes dallgëve, por nuk munda ta shpëtoja. Gjithçka mbeti prej saj ishte ky jelek shpëtimi”, u tha Papa Françesku fëmijëve. “Nuk dua t’ju mërzis, por ju jeni të guximshëm dhe e dini të vërtetën: shumë fëmijë janë në rrezik”, theksoi ai.