KRYEFAQJA » LAJME » Rrëzimi i helikopterit, transparenca.al : “aludime të pavërteta dhe tepër dashakeqe”
Rrëzimi i helikopterit, transparenca.al : "aludime të pavërteta dhe tepër dashakeqe"

Rrëzimi i helikopterit, transparenca.al : “aludime të pavërteta dhe tepër dashakeqe”

Portali transparenca.al i qeverisë shqiptare, hodhi poshtë si “aludime të pavërteta dhe tepër dashakeqe” deklarimet e ish kryeministrit Berisha dhe disa portaleve, lidhur me ngjarjen e të mërkurës ku një helikopteri i FA u rrëzua në Liqenin e Shkodrës. Portali jep sqarime sipas të cilave “helikopteri EC 145 me numër anësor 637, në orën në të cilën portali pretendon se është ulur në doganën e Hanit të Hotit, ka qenë në një fluturim të planifikuar në jug të Shqipërisë, fluturim të nisur në orën 09:10 të mëngjesit të ditës së djeshme me itinerarin, Farkë-Belsh- Gllavë- Tepelenë- Skerficë -Butrint- Ksamil- Sarandë- Llogara- Akerni- Lushnje, e në fund është ulur pa problem në bazën e Farkës”.
Lidhur me fluturimin e helikopterit të rrëzuar transparenca.al shkruan se ai”… është nisur nga Farka në orën 12:10 dhe po kryente fluturim rutinë stërvitor rikonjicioni, sipas planit të fluturimit të bazës ajrore Farkë, në intenerarin Farkë-Tujan-Qafë Murr-Qafë buall-Shupenzë-Peshkopi-Kukës-Qafë Luzhë-Qafë Valbonë-Vermosh-Rapstarje-Koplik-Shkodër-Farkë”. Gjithnjë sipas portalit qeveritar “Helikopteri i shfaqur në videon e portalit syri.net është civil, me përmasa më të mëdha dhe pa shenja dalluese të Forcës së Armatosur. Në këtë video gjithashtu dallohet qartësisht se helikopteri është i pajisur me rrota. Ndërkohë që asnjë helikopter i FA-ve nuk është i pajisur me rrota, por janë të pajisur me sistemin me slitë”.
“Sa më sipër aludimet e portalit syri.net janë të pavërteta dhe për më tepër dashakeqe. Ftojmë median të distancohet nga abuzimet që nuk ndalen as përpara humbjes së jetës së dy pilotëve të Forcave të Armatosura në krye të detyrës” shkruan transparenca.al.
Deklarimet e portalit qeveritar vijnë pasi në shtypin shqiptar dhe mediat të afërta me opozitën, ka akuza se helikopteri i FA po përdorej për çështje private nga titullarët ministrisë së mbrojtjes.