KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Rritet bilanci i viktimave nga sulmet terroriste në aeroportin e Stambollit

Rritet bilanci i viktimave nga sulmet terroriste në aeroportin e Stambollit

41 të vrarë dhe më shumë se 230 të plagosur është bilanci i deritanishëm i një sulmi të armatosur që ndodhi në aeroportin Ataturk mbrëmjen e djeshme, ku tre persona qëlluan me armë dhe më pas hodhën veten në erë në mjediset e terminalit. Kryeministri turk Binali Jëlldërëm u shpreh se ekzaminimi paraprak i ngjarjes tregon se prapa saj mund të jetë i ashtuquajturi Shteti Islamik. Sipas kryeministrit, mes viktimave kishte edhe shtetas të huaj, ndërsa sqaroi se agresorët kishin shkuar me taksi në aeroport. Ndërkohë, pamje të publikuara në mediat sociale tregojnë njerin nga agresorët duke vrapuar në sallën e nisjes, ndërsa njerëzit rreth tij largohen të alarmuar. Ai goditet nga policia, qëndron 20 sekonda i shtrirë në tokë, dhe më pas hedh veten në erë. Të tre agresorët u eliminuan. Ndërkohë, për disa orë u pezulluan të gjitha fluturimet drejt dhe nga aeroporti Ataturk, por shumë prej tyre rifilluan këtë mëngjes. Sulmet e fundit me bomba në Turqi janë lidhur me ISIS ose me separatistët kurdë.