KRYEFAQJA » LAJME » Rritet inflacioni,ndikimi më i madh arsim dhe ushqime
rritet inflacioni,ndikim ushqimet dhe arsimi

Rritet inflacioni,ndikimi më i madh arsim dhe ushqime

Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit për të tretin muaj me radhë duke iu larguar niveleve minimale të shënuara në gjysmën e parë të vitit. Instituti i Statistikave raportoi se në qershor inflacioni vjetor u rrit në 1.2 për qind, nga 0.6 për qind që ishte në maj.

Përveç veshjeve dhe komunikimit të gjitha grupet e tjera të mallrave kanë shënuar rritje vjetore duke reflektuar kështu rritjen e taksave dhe kostove për industri të veçanta. Rritja e taksave bashkiake në Tiranë dhe rritja e kostove të biznesit në tërësi, sidomos nga mbifaturimi i energjisë elektrike me tre lekë, duket se është transferuar në çmime. Sipas INSTAT rritja vjetore në muajin Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,97 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit ”Mobilje, paisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje.

Në dy muajt e parë të këtij viti, inflacioni zbriti në nivelin më të ulët shumëvjeçar rreth 0.3% me bazë vjetore, duke rritur shqetësimet se ekonomia mund të binte në recesion, çka do të kishte pasoja të mëdha negative për punësimin dhe rritjen ekonomike. Banka e Shqipërisë reagoi duke ulur tre herë normën bazë të interesit në minimumin historik prej 1.25 për qind, për të inkurajuar konsumin dhe investimet. Këto masa, bashkë me rritjen e çmimit të naftës gjatë dy muajve të fundit, e kanë larguar shifrën e inflacionit nga nivelet minimale të fillimvitit edhe pse sërish, shifra qëndron poshtë nivelit 2 për qind, që është objektivi minimal ligjor i Bankës së Shqipërisë.