KRYEFAQJA » LAJME » Rritje e buxhetit për sigurinë ushqimore në vend

Rritje e buxhetit për sigurinë ushqimore në vend

Autoritetet shqiptare po i kushtojnë vemendje të posaçme rritjes së sigurisë ushqimore në vend. Ministria e Bujqësisë parashikon të përdori në buxhetin e vitit të ardhshëm për sigurinë ushqimore 1.6 miliardë lekë, rreth 7 për qind të shumës së përgjithshme, prej 10.7 miliardë lekësh. Sipas ekspertëve të bujqësisë, fondi kryesor i shpenzimeve për këtë sektor do të shkojë më shumë në drejtim të forcimit të kapaciteteve laboratorike diagnostikuese, me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore në tregjet e vendit. Në vëmendje do të jetë edhe puna e inspektorëve në terren për kontrollin e tregtimit të produkteve në njësitë e shitjes duke respektuar kushtet higjeno sanitare, afatet e skadencave etj, probleme që hasen më shpesh nga konsumatorët. Vitin e ardhshëm, Autoriteti i Kontrollit Ushqimor synon të shtojë inspektimet për produktet e bulmetit dhe të mishit. Ai ka paralajmëruar se do të ndalojë çdo rast të therjes dhe tregëtimit të mishit në rrugë jashtë çdo standardi.