KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Rrno për me tregue” në katedralen e Shën Palit

“Rrno për me tregue” në katedralen e Shën Palit

“Bajnë sikur kanë kuptu dicka, sikur kanë një farë pendese, por nuk e kanë. E kanë sa për sy e faqe, se prapë po ne jemi armiku.” Janë këto fjalët e fundme të at Zef Pllumit para se të ndërronte jetë që tingëllojnë më të forta se kurrë në një shoqëri shqiptare e cila nuk është penduar dhe as dikush nuk ka kërkuar falje për krimet e së shkuarës. Në veçanti për persekutimin e klerit katolik. Si një jehonë reflektimi vjen monodrama “Rrno për me tregue” e interpretuar nga Arben Derhemi dhe me regjinë e Milto Kutalit. Monodrames si një përkujtim edhe për lumnimin e 38 martirëve shqiptare i janë çelur dyert e katedrales së Shën Palit në Tiranë dhe të premten altari i kishes do të jetë skena ku do të luhet drama e jetuar e shqiptarëve rrëfyer aq mjeshtërisht nga at Zef Pllumi.

Teksa monodrama bazuar në veprën “Rrno për me tregue” shkëput rrugëtimin e vuajtjes, por mbi të gjitha mbijetesën, Derhemi dhe Kutali duket se kanë ndërmarrë një mision që së bashku me njohjen të nxisin një debat publik mbi të shkuarën dhe sidomos tua bëjnë të njohur të rinjve.

Përgjatë një ore në katedralen e Shën Palit do të vizatohet rrugëtimi dhe qëndresa e njeriut përmes një kalvari të errët siç ishte komunizmi. Turet e shfaqjeve nuk do të ndalen në Tiranë, por do të prekin edhe instuticione të besimeve të tjera fetare në të gjithë Shqipërinë.