KRYEFAQJA » LAJME » Rroshi jep dorëheqje, “Mësova që jam dënuar kur kam qenë minoren “
Rroshi kalon në "arrest shtëpie"

Rroshi jep dorëheqje, “Mësova që jam dënuar kur kam qenë minoren “

Kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e ka bërë të ditur vetë zoti Rroshi në faqen e tij në Fejsbuk. Vendimin e tij zoti Roshi e ka marrë pasi avokatët e kanë njoftuar se gjatë kërkimeve të tyre ai rezulton i dënuar. “Avokatët e mi më kanë informuar, se papritur dhe pa kujtuar rezultoj të jem dënuar si minoren! I bie të jem dënuar pa dijeninë time në Itali, në kohën kur isha ende në kampin e refugjatëve. Jam akoma i shokuar nga ky njoftim dhe as unë vetë nuk di çfarë të shpjegoj më shumë” shkruan zoti Rroshi në Fejsbuk. Duke e cilësuar si të vërtetë tronditëse, kreu i deritanishëm i Bashkisë së Kavajës shkruan se “…nuk mund të vazhdoj i qetë detyrën time si deri dje, për sa kohë pafajësia ime nuk është më një e vërtetë e provuar ligjërisht përballë çdo shpifësi”. “Dua t’i kërkoj sinqerisht falje qytetarëve të Kavajës po edhe Kryeministrit Edi Rama, të cilët më kanë besuar dhe mbështetur dhe sot duhet të marrin këtë informacion të padëshirueshëm. Po të gjithë duhet ta dinë se nuk kam fshehur asgjë që dija” shkruan Elvis Rroshi, ndërsa zotohet se do të nisi betejën për të marrë pafajësinë.
Elvis Rroshi është nga emrat më të anatemuar nga opozita e djathtë e cila e ka akuzuar si të implikuar në afera të shumta kriminale, akuza që zoti Roshi i ka hedhur vazhdimish poshtë.