KRYEFAQJA » LAJME » RTSH direkt nga “Elbasan Arena” Shqipëri – Hungari (U21)
"Elbasan Arena"

RTSH direkt nga “Elbasan Arena” Shqipëri – Hungari (U21)

Të hënën në mbrëmje, kuqezinjtë 21 vjeçarë do të luajnë sfidën e radhës, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian. Pas barazimit 0-0 të arritur javën e kaluar me Greqinë, përballë djemve të trajnerit Redi Jupi do të jenë homologët e Hungarisë. Kundërshtari ndodhet në vendin e katërt në renditje me 8 pikë, por me një ndeshje më pak se Shqipëria e vendit të dytë që ka 9 pikë. Futbollistët tanë kanë kryer seancën e fundit stërvitore të dielën në mbrëmje dhe trajneri Jupi është shprehur se lojtarët e tij gëzojnë një formë të mirë. Me mbështetjen edhe të tifozëve shpresohet te një rezultat pozitiv.
Për Shqipërinë, në sfidën me Hungarinë, për shkak të një dëmtimi do të mungojë Emiljano Hysi, sulmuesi që luan në Angli. Gjithashtu edhe Milot Rashica që i është bashkuar kombëtares A për ndeshjen me Luksemburgun. Edhe Eros Grezda nuk mund të luajë me bluzën e kombëtares për arsye se nuk ka marrë ende një pasaportë shqiptare. Kjo është ndeshja e parafundit në grup për Shqipërinë. E fundit do të jetë ajo Greqi-Shqipëri, e cila do të luhet në 2 shtator.
Ndeshja Shqipëri-Hungari do të luhet në orën 20.00 në “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga rrjeti i RTSH.