KRYEFAQJA » LAJME » RTSH drejt zgjedhjes së titullarit
"Përse nuk u transmetua ndeshja miqësore Shqipëri- Marok?", sqarim i RTSH

RTSH drejt zgjedhjes së titullarit

Në Komisionin e Medias në parlamentin shqiptar, deputetët e shumicës së majtë këmbëngulën se formula e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të RTSH është legjitime, duke rrëzuar dekretin e presidentit Nishani i cili riktheu për rishqyrtim në parlament disa ndryshime në ligjin për mediat. Deputeti socialist Musa Ulqini tha se “Dekreti nuk përkon me rolin që Kushtetuta i ka njohur Presidentit në procesin legjislativ. Është e vërtetë që kushtetuta nuk specifikon për çfarë arsye Presidenti ka të drejtë të kthejë ligjin në kuvend për rishqyrtim edhe mënyra sesi është interpretuar dhe zbatuar kjo nga presidentët shqiptarë gjatë 17 viteve ka qenë inkonsistente. Për më tepër, as Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur ndonjë rast të mirë për të artikuluar natyrën, qëllimet e vetos presidencial sipas kushtetutës” tha zoti Ulqini. Sipas tij argumentet e paraqitura nga zoti Nishani janë anti-kushtetuese. “Lidhur me argumentet mbi zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, formula që propozohet nga 28 deputetë të maxhorancës është një normë kushtetuese” tha deputeti socialist. Sipas zotit Ulqini shumicat e cilësuara, shpesh herë sjellin ngërçe institucionale ndaj kërkohet mundësia e një alternative zhbllokuese, si një alternativë ku pas një konkurrimi të hapur të arrihet zgjedhja e një funksionari.“Formula e propozuar nga deputetët e maxhorancës ështe e ligjshme dhe Presidenti i Republikës paragjykon punën e institucioneve të pavarura” përsëriti deputeti socialist Musa Ulqini.
Pak ditë më para zoti Nishani ktheu në parlament ligjin për median duke këmbëngulur si “zgjidhje fundore në ligj, … zgjidhjen konsensuale të Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së”.
Gati dy vjet nga krijimi i tij KD i RTSH ende nuk ka mundur të zgjedhi drejtorin e përgjithshëm të RTSH. KD e përbërë nga anëtarë të propozuar nga forca politike nuk ka arritur të gjejë konsensusin për kandidaturat e propozuara.  KD përbëhet nga 11 anëtarë. Sipas ligjit të deritanishëm rezultati i votimit për fituesit duhej të dilte 7 me 4, por me ndryshimet e reja drejtori i përgjithshëm i RTSH mund të zgjidhet edhe me rezultatin 6 me 5.  Miratimi i ligjit pritet në seancë plenare.