KRYEFAQJA » LAJME » RTSH ka sfidë rikthimin e besimit te publiku

RTSH ka sfidë rikthimin e besimit te publiku

OSBE thirri të martën forumin e dytë për zhvillimin e medias në Shqipëri, një takim që mblodhi zerat e drejtëpërdrejtë dhe përfaqësues të instiutcioneve që ndjekin, drejtojnë, median në Shqipëri. Një nga panelet iu dedikua tërësisht përgatitjeve për transformimin e Radio Televizionit Shqiptar, të vetmes medias publike në vend.
Që në nisje të forumit, ambasadori i OSBE Bernd Boshard nënvizoi rëndësinë për të transformuar RTSH në një media të pavarur profesionale që i shërben publikut të gjerë.”Drejtuesit e lartë të RTSH-së të zgjedhur së fundmi kanë nisur punën për procesin kërkues për transformimin e transmetuesit publik. Do të doja të theksoja arritje të tilla si struktura organizative e miratuar së fundi dhe dy të tjera në fazen finale të miratimit, statusi i RTSH-së, dhe dokumenti i parimeve editoriale. Ne i përgëzojmë këto rezultate fillestare dhe i Inkurajojmë drejtuesit e RTSH-së që të vazhdojnë me këtë hap për të bëre ndryshimet e nevojshme” tha zoti Boshard.
Për drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar ishte një rast i mirë ky forum dhe paneli dedikuar medias publike, për të lajmëruar disa etapa të rëndësishme që lidhen me nisjen e procesit transformues të Radio Televizionit Shqiptar.
Drejtori i Përgjithshëm Thoma Gëllçi tha se sfida më e madhe është kthimi i besimit të publikut tek RTSH, në një kohë kur gara e transmetuesit publik duhet të jetë për konkurencë dhe jo vënia në varësi të partive apo qeverive të rradhës. Burimet njerëzore, kalimi në transmetimet digjitale duke filluar nga 1 dhjetori, përgatitja e Statutit të ri të RTSH, financat dhe për herë të parë parimet editorale janë shtyllat kryesore ku do të mbeshtetet reformimi i Radio Televizionit Publik, tha ai.
Paneli i moderuar nga gazetari Lutfi Dervishi ofroi një panoramë të bollshme të strukturës së re të Televizionit Publik duke u dhënë mundësi të ftuarve të qartësojnë nëpërmjet pyetje-përgjigjeve situatën e re ambicioze ku drejtuesit e rinj të TVSH duan ta vendosin këtë institucion nevralgjik në vend.
Drejtori i Njësisë së lajmeve dhe emisiomeve tematike Bledar Zaganjori prezantoi një pasqyrë të dokumentit të ri, të parit të këtij lloji në Shqipëri që lidhet me parimet editoriale ku do të mbeshtetet puna e departamentit me sensitiv, siç është ai për informimin me paanësi dhe profesionalizëm të shikuesve.
Por Radio Televizioni Shqiptar përballet edhe me një sfidë tjetër që lidhet me modernizimin e teknologjisë së këtij gjigandi mediatik. Përveç trajnimit të stafit teknik së shpejti Radio Televizioni do të rinovojë infrastrukturën e teknikës së institucionit duke synuar përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së sinjalit.
Përfaqësuesja e Këshillit Drejtues të Radio Televizonit, Valbona Sulçe nënvizoi nevojën e edukimit të publikut që duhet të afrohet ndjeshëm si pjesë e qënësishme e RTSH, jo thjesht si spektator, por si mbikqyrës cilësor i tij.
Ky ishte forumi i dytë vjetor për zhvillimin e medias në Shqipëri.