KRYEFAQJA » LAJME » RTSH, nis revolucioni i transmetimeve dixhitale

RTSH, nis revolucioni i transmetimeve dixhitale

Nga sot nis një epoke e re, Radio Televizioni Shqiptar prej 1 dhjetorit hyn zyrtarisht në fazën e testimit të sinjalit digjital.  Ky do të jetë një revolucion cilësor për transmetimet e gjigandit mediatik shqiptar i cili prek një moment të ri për historinë e tij. Transmetimet digjitale të standardit DVBT2 mundësohen nga 59 stacione, 49 prej të cilëve janë krejtësisht të rinj të ndërtuar sipas standardeve më të larta të teknologjisë së kohëve tona.

Aktualisht ka nisur testimi i sinjalit digjital për alotmentin e Tiranës i cili përfshin zonën gjegografike Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë. Kamera e Televizionit Shqiptar fiksoi momentet e para të nisjes nga puna të stacioneve të reja që do të mundësojnë testimin e sinjalit digjital nga stacionet e Fushë Dajtit, Kodrës së Prezës, Kodrës së Lapidarit mbi pjesën lindore të Tiranës dhe Stacionin e Arapajt në Durrës që mbulon vijën bregdetare të Durrësit dhe Kavajës.  Puna ka ecur me ritme të shpejta dhe ditët në vazhdim janë vendimtare për të testuar sinjalin në një nga zonat gjeografike më të rëndësishme të vendit, siç është alotmenti i Tiranës.

Çdo stacion transmetimi ka dy frekuenca të cilat do tu ofrojnë mijëra teleshikuesve përveç kanaleve të RTSH edhe ndjekjen e operatorëve të tjerë lokalë televizivë të cilët janë në numër të konsiderueshëm në nivel kombëtar.

Ambicia teknologjike e RTSH-së vijon me nisjen e vitit të ri 2017. Në janar nis testimi i sinjalit digjital për Fierin dhe në shkurt për alotmentin e Korçës.  Shqipëria është e ndarë në 11 zona të cilat do të mbulohen nga sinjali digjital i RTSH prej 59 stacioneve të transmetimit në të gjitha skajet e vendit.
Por çfarë do të thotë nisja e transmetimeve digjitale për gjigandin mediatik shqiptar? Së pari rritje e cilësisë së imazhit, rritje e cilësisë së zerit, shtim të numrit të kanaleve dhe bashkë me to informacion të kualifikuar për çdo program që do të jetë në transmetim në kanalet e RTSH.
Epoka e re ka trokitur, RTSH po behët gati për transmetimet numerike që do të mundësojnë një kualitet të lartë të programeve të medias sonë publike.