KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » RTSH sjell “Kur kënga nuk ishte Pazar”
donika mustafaj, kur kenga nuk ishte pazar, dokumentar, rtsh, muzike, tekste shqip

RTSH sjell “Kur kënga nuk ishte Pazar”

Gazetarja Donika Mustafaj vjen para publikut me dokumentarin e saj të dhjetë, titulluar “Kur kënga nuk ishte Pazar” prodhim i Radio Televizionit Shqiptar. Brenda gjashtëdhjetë minutave gazetarja Mustafaj, bën zbërthimin estetik të këngës shqiptare, veçanërisht ato kushtuar dashurisë. Përballë teksteve të dikurshme të këngëve për dashurinë, ajo vendos tekstet e këngëve të sotme, ku për shkak të komercializmit ato dominohen nga instinkti dhe seksi i egër.

“Më përpara ne këndonim ‘Hanko, mos shko në varre, se të gjallët i vdiqe fare e të vdekurit i ngjalle’, ndërsa sot, nga ana tjetër, ne këndojmë ‘jam bombë e du me shpërthy’, etj etj. Pra, e shikoni se çfarë tekstesh kemi? Unë mendoj se këngët e sotme nuk kanë tekst, nuk kanë mesazh. Mesazhi, për të cilin unë flas tërë kohës në dokumentarin tim, është shumë i nevojshëm për secilin nga ne. Ka qënë dhe është shumë i nevojshëm. “

Siç thotë vetë, Mustafaj nuk merr përsipër të gjykojë mbi cilësinë artistike të tekstit dhe as të muzikës së këtyre këngëve, por të pasqyrojë përmbysjen që ka pësuar konceptimi i dashurisë në këto këngë.

“Qëndroj tek tekstet, jo për të parë se sa i bukur ka qënë një tekst më përpara, por thjesht për dashurinë, sepse dihet që themeli i të gjitha këngëve është dashuria. Dhe thashë, se si e kemi deformuar ne konceptin e dashurisë. Pra, është ky koncept në realitet që ne e kemi deformuar, apo është kënga që e ka deformuar këtë koncept duke e ‘veshur’ nga ana artistike dhe duke na e servirur neve”

Sipas Mustafajt përballë trekendeshit krijues-këngëtar-media qendoron publiku, i cili fatkeqësisht ushqehet çdo ditë me këtë produkt mediokër dhe pa vlerë.