KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Rumani, sistemi amerikan i mbrojtjes nga raketat në Evropë është gati
sistemi amerikan i mbrojtjes

Rumani, sistemi amerikan i mbrojtjes nga raketat në Evropë është gati

Shtetet e Bashkuara shpallën sot zyrtarisht si funksional sistemin evropian të mbrojtjes raketore, pothuajse 10 vjet pasi Uashingtoni propozoi vendosjen e një baze në Evropë për mbrojtjen kundër raketave balistike iraniane. Hapi i rëndësishëm erdhi me shpalljen funksionale të bazës ushtarake Deveselu në Rumani, përmes një ceremonie që u mbajt në prani të zyrtarëve të lartë të të dyja vendeve dhe të NATO-s. Në ceremoni mori pjesë edhe Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg. Pjesëmarrësit përsëritën se baza të tilla të mbrojtjes raketore në Evropë nuk drejtohen kundër Rusisë, ndërsa presidenti i Rumanise Klaus Iohanis ka kërkuar edhe prani të flotës së NATO-s në Detin e Zi. Prania ne krahun lindor është e nevojshme për të siguruar balancë, tha ai. Baza në Rumani kushtoi rreth 800 milionë dollarë. Të premten do të mbahet ne Poloni ceremonia e nisjes së punimeve për një bazë të ngjashme pranë Detit Baltik.