KRYEFAQJA » LAJME » Rusi 2018: Dy skuadra shqipfolëse në ndeshjet kualifikuese
Rusi 2018: Dy skuadra shqipfolëse në ndeshjet kualifikuese

Rusi 2018: Dy skuadra shqipfolëse në ndeshjet kualifikuese

Si asnjë herë më parë, në ndeshjet kualifikuese për në botëror do të jenë dy skuadra shqipfolëse, Shqipëria dhe Kosova. Kjo e fundit u pranua në UEFA me 3 maj 2016 dhe në FIFA me 13 maj 2016. Përfaqësuesja e jonë kombëtarë do të presë me 5 shtator Maqedoninë. Ndeshja do të luhet në stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës i cili është rindërtuar sipas të gjitha parametrave që ka kërkuar UEFA. Kjo ndeshje e Grupit G është e vlefshme për kualifikim në kampionatin botëror, Rusi 2018. Po në të njëjtën ditë do të vihen përballë njëra tjetrës edhe skuadrat e tjera të grupit tonë. Spanja pret Lihtenshtejnin dhe Izraeli pret Italinë.

Shqipëria, e drejtuar nga Giovanni De Biasi, e 37-ta në renditjen e FIFA-s dhe Maqedonia e 138-ta kanë luajtur tetë ndeshje sëbashku. Bilanci për përfaqesuesen tonë është negativ: 1 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje dhe me golavarazh 4-10. Të gjitha këto ndeshje kanë qënë miqësore. Me Spanjën, e 8-ta në renditjen e FIFA-s, Shqipëria është ndeshur pesë herë, dy herë për kualifikim në botëror dhe tre herë për kualifikim në europian, ndeshja e datës 18 dhjetor 1991 nuk është luajtur. Bilanci, shumë negativ, flet vetëm spanjisht, 5-0 dhe me golavarazh 2-24. Me Lihtenshtejnin, i 182-ti në renditjen e FIFA-s, kemi vetëm një ndeshje miqësore të luajtur, atë të 20 gushtit 2008 në Tiranë, ku kombëtarja kuq e zi fitoi me rezultatin 2-0. Me Izraelin, që është në vendin e 76 në renditjen e FIFA-s, nuk jemi ndeshur asnjë herë. Me Italinë, e 10-ta në renditjen e FIFA-s, jemi ndeshur vetëm një herë në një ndeshje miqesore. Takimi është zhvilluar në stadiumin Luigi Ferraris të Xhenovas me 18 nëntor 2014, ku humbi me rezultatin 1-0.

Përfaqësuesja e Kosovës, e drejtuar nga Albert Bunjaki, ndeshjen e saj të parë zyrtare të vlefshme për kualifikimin në një botëror (Rusi 2018), do ta luajë me 5 shtator në Veritas Stadium të Turkut në Finlandë ku do të përballet me përfaqësuesen vendase për Grupin I. Ndeshjen e parë ndërkombëtare, akoma e panjohur nga UEFA dhe FIFA, Kosova e ka luajtur në Mitrovicë me 5 mars 2014 kundër Haitit. Ky takim është mbyllur në barazim 0-0. Ndeshjen e parë pasi ka marrë pranimin në UEFA dhe FIFA, Kosova e ka luajtur me 3 qershor 2016 në Frankfurt të Gjermanisë kundër Ishujve Faroe. Kjo ndeshje miqesore është mbyllur me rezultatin 2-0 për Kosovën. Edhe dy ndeshjet e tjera të këtij grupi, Kroaci – Turqi dhe Ukrainë – Islandë do të luhen po në të njëjtën datë.

Kosova, kjo skuadër e re dhe pa përvojë në ndeshjet e këtij niveli, do të ketë përballë në këtë grup katër skuadra të forta. Kroacia, Turqia, Ukraina dhe Islanda qenë të gjitha pjesëmarrëse në kampionatin e fundit Europian, Francë 2016. Islanda ishte me të vërtetë një skuadër që surprizoi një kontinent të tërë duke arritur deri në çerekfinale ku u mund nga vendasit 5-2. Nga skuadrat që ka në grup, Kosova është ndeshur vetëm me Turqinë në ndeshje miqësore. Takimi është luajtur në Mitrovicë dhe ka përfunduar 6-1 për Turqinë.