KRYEFAQJA » LAJME » Rusi 2018: Shqipëria mund Maqedoninë 2-1
Rusi 2018: Shqipëria mund Maqedoninë 2-1
EPA/ARMANDO BABANI

Rusi 2018: Shqipëria mund Maqedoninë 2-1

Ndeshja e parë e Shqipërisë, e vlefshme për kualifikim në botërorin Rusi 2018, kundër Maqedonisë mbyllet me fitoren 2-1 për djemtë tanë. Ky takim i cili filloi një natë më parë në stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës, dhe që u ndërpre si pasojë e motit shumë të keq, rifilloi sot në orën 14:00 në minutën e 75-të.

Takimi ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi Sadiku i ka kaluar kuqezinjtë në epërsi që në të 8′. Edhe pse me avantazh minimal, Shqipëria luajti shumë më mirë dhe arriti ta fitonte pjesën e parë. Pjesa e dytë e takimit fillon më e mirë për miqtë, që gjejnë golin e barazimit në të 51′, anë të Alioskit. Por rreshjet gjithnjë e më të dendura kanë çuar në ndërprerjen e ndeshjes 15 minuta para përfundimit. Në minutat e mbetura të luajtura sot, në kushte më të mira atmosferike edhe pse binte shi, djemtë tanë të drejtuar nga tekniku italian Giovannni De Biasi bënë lojë më të qartë dhe agresive sesa miqtë që me sa dukej kishin hyrë në fushë për të mbojtur atë barazim. Por është Balaj ai që ai prish planet maqedonasve, kur merr një top nga Memushaj nga goditja e dënimit dhe në të 89′ me kokë e dërgon topin në rrjetë, 2-1 për Shqipërinë. Në gjashtë minutat e mbetura, pasi gjyqtari turk Hüseyin Göçek dha 5′ shtesë, maqedonasit u përpoqën të arrinin një barazim të mundshëm i cili nuk erdhi kurrë. Shqipëria kështu sëbashku me Spanjën dhe Italinë është me pikë të plota në Grupin G.