KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Saimir Pirgu në Bolshoi

Saimir Pirgu në Bolshoi

Tenori Saimir Pirgu po rrugëton me sukses në promovimin e albumit te tij “Il mio Canto”. Ndërsa aktualisht ndodhet në Paris për përgatitjen e koncertit të tij në “Teatre du Chatelet”, në kuadër të turit të tij botëror një tjetër skenë e madhe po përgatitet ta presë e pikërisht teatri Bolshoi në Moskë ku Pirgu do të performojë me 5 Prill.
Por nga Franca Tenori nuk do të niset vetëm, por së bashku me Orkestrën franceze të Capitole de Toulouse. Bashke me ariet e përfshira në albumin e tij tenori Saimir Pirgu do të interpretojë “Requiem- Grande Messe des morts” ku dirigjent do të jetë Turgan Sokhiev dhe me pjesemarrjen e Korit të Teatrit Bolshoi.
Saimir Pirgu pak kohë më parë mbylli koncertin e tij në TKOB, Tiranë, ku prezantoi albumin “Il mio Canto” dhe interpretoi ariet më të famshme të repertorit operistik. Koncerti në kryeqytetin shqiptar ishte pjesë e turneut me të cilin tenori po promovon albumin e tij.
Agjenda e koncerteve të Pirgut përfshi qytete të shumta përfshirë Tokion, Moskën, Vjenën, Berlinin, Parisin e New Yorkun. “Il mio Canto” është nxjerrë në treg nga “Opus Arte” dhe ishte prezantuar në fund të muajit janar me rastin e interpretimit të Pirgut në operën “Traviata” në “Royal Opera House” të Londrës.