KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Samiti i Diasporës: Ekonomia shqiptare ju fton!

Samiti i Diasporës: Ekonomia shqiptare ju fton!

Indikatorët pozitive të shënuara nga ekonomia shqiptare, dhe të vlerësuara nga organizatat të ndryshme botërore, si Banka Boterore, FMN, OECD etj, janë një nxitës për investimet e huaja në vend. Gjatë panelit “Zhvillimi ekonomik në atdhe dhe roli i diasporës”, të organizuar gjatë Samitit të Parë të Diasporës që po mbahet në Tiranë, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi theksoi se Shqipëria ofron një gamë të gjerë mundësirash dhe sigurish për investitorët e huaj, duke filluar nga rritja e qëndrueshme ekonomike, lehtësirave fiskale që i ofrohen investitorëve, forcës punëtore të re në moshe dhe të arsimuar, pagës konkurruese mesatare dhe asaj minimale, si dhe një kuadër rregullator shumë konkurrues për investitorët. Ministrja Ekonomi gjithashtu dha shembuj të historive të suksesit të shënuara nga investimet e huaja në Shqipëri.

Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj paraqiti mundësitë e investimit që ofron Tirana, ku si me kryesoren renditi vlerën në rritje të pronave të paluajtshme. Ai bëri të ditur se po synohet krijimi i një zone të re ekonomike. “Ne si Bashki e Tiranës po aplikojmë që ne të hapim një zonë ekonomikenë zonën e Kasharit, aty ku po ndërtojmë edhe impiantin e ri të përpunimit të ujërave të Tiranës. Kemi identifikuar një zonë rreth 60 hektarë. Kjo do të thotë që nga viti tjetër do të kemi mundësi t’u themi, vendosini gishtin vendit, sill panelet e tua, hiqe prizën në një vendeuropian të premten, vendose prizën të hënën që të fillosh prodhimin në Tiranë” tha zoti Velia.

Zoti Veliaj nuk la pa përmendur as lehtësirat që ofrohen në dhënien e lejeve të ndërtimit, procedura këto tërësisht transparente që mund të shihen nga të gjithë të interesuarit.