KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Samiti i OKB-së për drogën, mosdakordësi mes shteteve
okb-droga

Samiti i OKB-së për drogën, mosdakordësi mes shteteve

Takimi i OKB-së për politikat mbi drogën është hapur mbrëmë në Nju Jork në mënyrën që është konsideruar më domethënesja ndër vite. Samiti do të përpiqet të riformulojë strategjinë globale për drogën, por që në hapje të tij u vunë re ndasitë mes vendeve anëtare. Ndërsa disa vende favorizojnë dekriminalizimin, të tjera vijojnë akoma ta dënojnë me vdekje përdorimin e drogave. Para zhvillimit të takimit, personalitete të njohura botërore i dërguan një letër të hapur shefit të OKB-së Ban Ki Muun, duke bëre thirrje për një përqasje më liberale në këtë drejtim. Sesioni special tre ditor u kërkua nga Kolumbia, Meksika dhe Guatemala, tre vendet që janë përballur më shumë me dhunën që shkakton droga. Presidenti i Meksikes Enrike Pena Nieto paralajmëroi se dënimet e ashpra krijojnë një cikël vicioz marxhinalizimi dhe krimi. Disa delegatë bënë thirrje që dënimi me vdekje të hiqej persa i përket krimeve që lidhen me drogën. Por Indonezia, një nga vendet ku zbatohet dënimi me vdekje për krime të tilla u shpreh se kjo është një çështje ku shtetet duhet të vendosin vetë në mënyre të pavarur. Një dokument u miratua gjatë sesionit, duke bërë thirrje për dënime proporcionale, por duke mos iu referuar dënimit me vdekje. Ndërsa pritet që samiti të mos përfundoje me ndonjë vendim madhor, aktivistët shpresojnë që ai do të shërbeje si një hap i rëndësishëm drejt reformimit.