KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sarkozi synon presidencën franceze
Sarkozi synon presidencën franceze

Sarkozi synon presidencën franceze

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy ka konfirmuar se do të kandidojë sërish për postin e presidentit të Francës në zgjedhjet e vitit 2017, pas humbjes që pësoi në vitin 2012 nga presidenti aktual Fransua Holland. Gjatë një takimi me anëtarë të Partisë Republikane që kryeson, zoti Sarkozi tha se ky ishte takimi i fundit si udhëheqës i saj. Zgjedhjet paraprake brenda partisë do të zhvillohen në nëntor, dhe Sarkozisë do ti duhet të përballet me rivalitetin e ashpër të 13 anëtarëve të partisë, që kanë shpallur gjithashtu kandidaturat e tyre. Rivali më i fortë i Sarkozisë është ish-ministri i jashtëm Alen Zhype. Gjatë muajve të parë të vitit, sondazhet tregonin se Alen Zhype kishte më shumë mbështetje se Sarkozy, por sondazhet më të fundit kanë treguar se ish-presidenti po kthehet bindshëm dhe kjo tregon se beteja mund të jetë shumë më e fortë nga sa mendohej fillimisht. Mbështetësit e republikanëve dhe parti të tjera të djathta dhe të qendrës së djathtë, do të votojnë në nëntor për të vendosur se cili do të jetë kandidati i tyre në presidencialet e vitit të ardhshëm. Fituesi do të përballet me Marine Le Pen nga “Fronti Kombëtar” dhe një socialist, që pritet të jetë sërish Fransua Hollande.