KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Sazet e Jugut regjistrohen nga producenti i Pink Floyd
Sazet e Jugut regjistrohen nga producenti i Pink Floyd

Sazet e Jugut regjistrohen nga producenti i Pink Floyd

“Kur unë interesohesha për muzikën e Pink Floyd ata konsideroheshin periferike, dmth nuk kishin famën e Bitellsave apo Blues Brothers…” kështu e nis rrëfimin producenti muzikor i grupit të njohur botërisht Joe Boyd. I dashuruar me muzikën e sazeve të Jugut shqiptar është bërë iniciator i një regjistrimi të kësaj muzike jo vetëm për shkak se është unike. Që kur e dëgjoi për herë të parë në vitin 1988 krejt rastësisht nga një regjistrim i festivalit të Gjirokastrës sazet ishin bërë misteri që duhej prekur nga afër për producentin që notonte në ajkën e produksioneve muzikore më të njohura në botë.

Në një shkrirje autentike ai ka bërë bashkë sazet e Përmetit dhe të Korçës dhe për regjistrimin e tyre në Angli kanë kontribuar edhe pjesëtare të grupit Pink Floyd në mbledhjen e fondeve për projektin nga Boyd.

Joe boyd ka drejtuar regjistrime elektrike të këngëtarëve si Bob Dylan në vitin e largët 1966, e përveç Pink Floyd ai ka qënë producenti i këngëtarëve dhe grupeve muzikore si Nick Drake, The Incredible String Band, REM, Cubanismo, Taj Mahal e shumë të tjerë. Ndërkaq është i angazhuar seriozisht me projektin e sazeve të cilët në Tiranë vijnë mbrëmjen e së martes me një koncert nga Takimi Muzikor i dy botëve në sallën e katedrales ortodokse.