KRYEFAQJA » LAJME » Së shpejti strehimore arinjsh në Shqipëri

Së shpejti strehimore arinjsh në Shqipëri

Pamjet në ekran i përkasin strehimores “Pylli i arinjve” në Prishtinë, e cila është ngritur prej afro tre vjetësh dhe strehon ata që konsiderohen si “arinjtë e çliruar nga robëria”. Arinjtë janë strehuar këtu pasi janë marrë nga kafazët që mbaheshin pranë restoranteve dhe plazheve, si një mjet atraksioni për klientët. “Ne strehojmë këtu 16 arinj që janë konfiskuar nga gjithë territori i Kosovës. Para një muaji në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit në Tiranë kemi marrë edhe tre arinj që janë shpëtuar nga Shqipëria. Pashuku, Tomi dhe Xhina, bëjnë një jetë shumë më të mirë këtu dhe po shpresojmë që kushtet e tyre më tutje të përmirësohen” thotë për TVSH përgjegjësi i strehimores Afrim Mahmuti.
Ministria e Mjedisit përmes një projekti që është në veprim, po punon për çlirimin e të gjithë arinjve në gjendje robërie në Shqipëri. Vendi ynë mban një shifër rekord përsa i përket keqtrajtimit të arinjve të cilët konsiderohen të rrezikuar. “Mund të jemi ndoshta në vendin e parë në Europë, me ndoshta 50-60 arinj që janë në kushte të robërisë dhe mbajtjes në kafaz” thotë Saimir Hoxha menaxher i projektit .
Por një ditë e bukur do të vijë edhe për arinjtë e robëruar në Shqipëri. “Shpresojmë që në një kohë sa më shpejtë të mundshme të kemi një qendër të tillë në Shqipëri. Dhe jo vetëm kaq, por ajo që dua ta riktheksoj është të arrimë të zhdukim fenomenin e mbajtjes në robëri të arinjve” thotë Elvana Rama zyrtare e lartë e Ministrisë së Mjedisit.
Strehimorja e arinjve në Shqipëri mendohet të ngrihet në Malin e Dajtit, ku përveç mbrojtjes së kafshës së egër do të shërbejë edhe si një atraksion turistik në Bashkinë e Tiranës.