KRYEFAQJA » LAJME » Sekuestrohet toka në gjirin e Lalzit
sekuestrohet-toka-ne-gjirin-e-lalzit

Sekuestrohet toka në gjirin e Lalzit

Dy ditë pas largimit të investitorit libanez nga vendi ynë, prokuroria kërkon sekuestrimin e pronës ku do të ndërtohej resorti turistik. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata vendosi sekuestron preventive të cilën gjykata e Durrësit, ia ka njohur Pal Selçuni. Sipas saj ka dyshime se shtetasi Libanez, e ka fituar pronësinë në bazë të akteve të fallsifikuara.

Një ditë më parë, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, urdhëroi hetimin administrativ, lidhur me sqarimin e situatës së pronësisë mbi truallin në Gjirin e Lalëzit, ku do të investonte shoqëria OMNIX. Manjani ka urdhëruar mbledhjen e informacionit zyrtar nga arkiva e Agjensisë së Trajtimit të Pronës (ATP). Informacion do t’i kërkohet edhe ZVRPP në Durrës. Urdhri parashikon nisjen e inspektimit për sqarimin e legjitimitetit të vendimeve të Gjykatës së Durrësit.

Kompania deklaroi tërhiqjen nga çdo investim i mundshëm në Shqipëri pas sulmit që iu bë sipërmarrësit libanez më 10 shtator. Sipas prokurorisë, Pal Selçuni ka kërkuar në gjykatën e Durrësit njohjen e pronësisë mbi këtë truall me parashkrim fitues. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet mbi përfitimin e të drejtës së pronësisë, menjëherë pas plagosjes me mjete të forta të shtetasit Fadi Mitri, i cili nga ana e tij ka një kontratë qeraje me shtetin shqiptar për zhvillimin e pronës së njohur në emër të shtetasit Pal Selçuni. Nga materialet paraprake të referuara në Prokurorinë e Tiranës, dyshohet se goditja ndaj biznesmenit Mitri është kryer për shkak të një sipërfaqe toke, e cila i është dhënë në përdorim kompanisë së administruar prej tij, “Omnix Albania” shpk. Po në këtë sipërfaqe, ka pretendime mbi pronësinë familja e shtetasit Pal Selçuni, banues në Draç të Ishmit, në Durrës.