KRYEFAQJA » LAJME » Sëmundjet tumorale vazhdojnë të jenë shqetësim

Sëmundjet tumorale vazhdojnë të jenë shqetësim

Kur flitet për kancerin, duket se shifrat qoftë të mortalitetit qoftë të diagnostikimit të hershëm, nuk lënë vend për optimizëm. Ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, përpara një audience mjekësh të nderuar nga Evorpa dhe SHBA, tha se pamvarësisht përpjekjeve të shtuara për trajtimin e pacientëve, fatkeqësisht sëmundjet tumorale vazhdojnë të zbulohen vonë pasi për parandalimin bëhet pak. “Vërtetë, për nga detyra që kam, të gjithëve u duhet të më prezantojnë si Ministër i Shëndetësisë, kur më pyesin këtë them, por realisht, unë nuk jam ministri i Shëndetësisë, unë jam ministri i Sëmundjeve. Gjithçka që më kërkojnë është, o një bar që mungon, o një kit apo reagent që nuk është prezent, apo një pajisje që është e prishur. Pak kush, interesohet që kur jemi të shëndetshëm. Dhe nëse nuk e kthejmë vëmendjen te qytetari pa u bërë pacient, te shëndeti pa u bërë sëmundje, besoj se vetëm do të gjurmojmë pas sëmundjen, po nuk do të mund ta fitojmë këtë betejë.” Mungesa e formimit të mjekëve specialistë, por edhe largimet e profesionistëve jashtë vendit, duket se e kanë përkeqësuar gjendjen. “Praktikisht, secili nga mjekët, edhe mjekët e rinj, janë të lirë ta zhvillojnë karrierën e tyre në Shqipëri, por dhe jashtë Shqipërie. Jemi rikthyer në mënyrë normale në specializimet në Arsimin e Lartë, por në fund të fundit, hapësira që mund ta observojë aktualisht qendra jonë Spitalore Universitare i ka aftësitë e kufizuara. Ndërsa, mungesat janë ende shumë të mëdha” shton zoti Beqaj.