KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sfidat kryesore të Tereza Mei

Sfidat kryesore të Tereza Mei

Dejvid Kameron i dorëzon mbretëreshës dorëheqjen e tij të mërkurën, duke i hapur rrugë emërimit në postin e kryeministrit të sekretares së punëve të brendshme Tereza Mei, e cila është shprehur se do ta bëje daljen e Britanisë nga Bashkimi europian një histori suksesi. Sipas BBC, negociatat me bashkimin europian, kontrolli i fluksit imigrator dhe manaxhimi ekonomik do të jenë çështjet e mëdha me të cilat do të përballet kryeministrja e re britanike. Pritej që Mei, të përballej me një garë nëntë javore për postin e kryetares së partisë konservatore, por me tërheqjen e kandidates tjetër Andrea Liidsomm, ajo ka vetëm 48 orë në dispozicion për të marrë postin e kryeministrit dhe të krijoje qeverinë e re. Zonja Mei ka premtuar reforma radikale socio-economike, duke u hapur rrugë spekullimeve mbi te ardhmen e figurave qendrore të administratës. Me pak kohë në dispozicion për të bërë zgjedhjet e saj politike, kryeministres së re do t’i duhet të zgjedhë ndryshimin përballë vijueshmërisë, ndërkohë që duhet të bashkoje Partinë Konservatore pas përçarjeve të krijuara nga rezultati i referendumit për daljen e vendit nga blloku europian. Burimet pranë zonjës Mei kanë konfirmuar se ajo ka qënë shumë e qartë për faktin që nuk do të ketë zgjedhje të përgjithshme në vend. Ish kancelari Ken Klark, u shpreh se Mei duhet të balancoje partinë në emërimet e reja në kabinet. Vetë Mei është shprehur se kandidatura e saj për udhëheqjen e partisë dhe qeverisë u bazua në nevojën për një lidership të fortë, aftësinë për të bashkuar partinë dhe vendin si dhe vizionin e saj pozitiv për të ardhmen e britanisë. Në një mesazh ndoshta drejtuar kolegëve që mbështeten Breksit, zonja Mei tha dje se “Breksit do të thotë Breksit, dhe ne do ta bëjmë atë një histori suksesi”.