KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA: Akuzat e liderëve për Trump

SHBA: Akuzat e liderëve për Trump

Paralajmërimi i Trump mbi mundësinë e mos-njohjes së rezultatit të zgjedhjeve përbën një rrezik serioz për demokracinë në Shtetet e Bashkuara, sipas Presidentit amerikan Barak Obama. Gjatë një fjalimi në Florida, lideri në ikje i Shtëpisë së Bardhë, nënvizoi se duke mbjellë tek njerëzit farën e mosbesimit, atëherë Trump po bën punën e një armiku të ShBA-së. Obama arsyetoi se njohja e zgjedhjeve ka një rëndësi të madhe, pasi sipas tij, demokracia ka të bëjë me ushtrimin e të drejtës së zgjedhjes përmes votës. Megjithatë, kritika për Trump nuk ka patur vetëm nga kampi i demokratëve. Senatori dhe ish-kandidati presidencial, John McCain, i cili nuk ka patur marëdhënie të mira me miliarderin, qëndroi pak a shumë në të njëjtën linjë me Obaman, kur tha se njohja e zgjedhjeve është një akt respekti për vullnetin e shprehur me anë të votës nga qytetarët amerikanë. Edhe zonja e pare Michelle Obama iu bashkua sulmeve kundër kandidatit republikan, duke thënë se demokracia amerikane nuk mund të mbahet pezull. Gjatë debatit e fundit televiziv me rivalen e tij në garën për presidencën, manjati i pasurive të paluajtshme hezitoi të jepte një përgjigje të qartë nëse do ta pranonte ose jo rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit. Pak orë më vonë, gjatë një fjalimi në Ohajo, Trump tha se do ta pranonte rezultatin vetëm në rastin e një fitoreje të tij. “Dua t’i premtoj të gjithë votueseve e mbështetësve të mi se do t’i pranoj plotësisht rezultatet e këtyre zgjedhjeve historike presidenciale, nëse unë fitoj”, tha Trump.