KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, debati i parë Klinton – Tramp

SHBA, debati i parë Klinton – Tramp

Hilari Klinton dhe Donald Tramp u përballën të hënën në mbrëmje në debatin e parë presidencial. Kandidatja demokrate dhe ai republikan shfrytëzuan 90 minuta për të paraqitur platformat e tyre para një audience televizive prej 100 milionë vetash. Debati i parë, nga tre gjithsej, u ngrit mbi tre shtylla kryesore: drejtimi i vendit, mirëqenia dhe siguria e SHBA-ve.
Ekonomia dhe vendet e reja të punës ishte pika e parë ku Klinton e Tramp ashpërsuan gjuhën. Kandidati republikan akuzoi ish-Sekretaren e Shtetit se nuk kishte një plan për krijimin e vendeve të reja të punës, por përgjigjja e Klinton ishte: “Donald, ne e dimë që jeton në botën tënde”.
Donald Tramp u pyet se përse nuk deklaronte taksat, ndërsa republikani u përgjigj se do të publikojë të dhënat në momentin kur Klinton të bëjë një gjë të tillë me 33 mijë email-et që janë fshirë. Në këtë pikë, demokratja pranoi se kishte bërë gabim për çështjen e serverit privat, por tha se po ti jepej një shans tjetër, do të vepronte ndryshe.
Në lidhje me terrorizmin dhe Shtetin Islamik, Tramp tha se mbështeste NATO-n, po aleanca duhet të dërgonte trupa në Lindjen e Mesme për të çrrënjosur ISIS. “Jam i tëri për NATO-n, por duhet të përqendrohet te terrorizmi. NATO duhet të dërgojë trupa në Lindjen e Mesme në rast se dëshiron të dalë e fituar në luftën ndaj terrorizmit”, tha Tramp.
Por Klinton u kundërpërgjigj duke thënë se NATO tashmë ka dërguar trupa në Afganistan pikërisht për të luftuar ISIS-n. “NATO ka kohë që po e lufton terrorizimin dhe trupat në Afganistan shërbejnë për këtë gjë”, tha Klinton.
Ish-Sekretarja e Shtetit kritikoi rivalin republikan për lëvdatat ndaj presidentit rus, Valdimir Putin si dhe për nxitjen që “hacker”-ët rusë të ndërmarrin sulme kibernetike ndaj qeverisë amerikane.
Klinton kritikoi Trampin edhe për çështjen e armëve bërthamore, që ajo tha se ai i trajton me shkujdesje. “Qëndrimi i tij për armët bërthamore është thellësisht tronditës. Shtet e Bashkuara do t’i respektojë marrëveshjet me aleatët”, tha Klinton duke shtuar se nuk mund t’i lihen kodet një njeriu që nervozohet pas një “cicërime” në Twitter.
Por, Tramp u përgjigj duke thënë se “armët bërthamore janë kërcënimi më i madh ndaj vendit tonë”. Kandidati republikan më pas kritikoi ashpër edhe marrëveshjen me Iranin. “Është marrëveshja më e keqe që është bërë ndonjëherë në histori”, tha ai.
Por Klinton e kundërshtoi. Ajo e quajti marrëveshjen me Iranin të suksesshme. “ Cila do të ishte alternativa e zotit Tramp në këtë rast?”, pyeti Klinton. Tramp vijoi duke thënë se për t’u ulur në karrigen e presidentit të SHBA-ve kërkohet guxim të cilin Klinton nuk e ka. Demokratja nxitoi t’i kujtonte eksperiencat e saj si zyrtare e lartë me vizitat dhe negociatat me shumë vende, por Tramp i quajti ato si“eksperienca negative që i sollën vendit dëm”.
Kandidati republikan foli për çështjen e gjykimit dhe temperamentit që duhet të kenë kandidatët. “Unë kam gjykim shumë më të mirë se sa zonja Klinton dhe një temperament shumë më të mirë. Temperamenti im është arma ime më e fortë”, tha Tramp.
Manjati i pasurive të paluajtshme deklaroi se Klinton ka shpenzuar qindra miliona dollarë për reklama kundër tij duke e quajtur këtë veprim të kampit demokrat si “aspak të ndershme”. Ai tha se mund të kishte sulmuar ish-Sekretaren e Shtetit nga familja, por nuk e preferon këtë gjë.
Të dy kandidatët thanë se do të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve me Donald Tramp që deklaroi se do të mbështeste zonjën Clinton në rast se ajo arrin të triumfojë në zgjedhje.