KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, Donald Trump merr zyrtarish emërimin e Partisë Republikane
donald-trump.jpg.

SHBA, Donald Trump merr zyrtarish emërimin e Partisë Republikane

Donald Trump u bë mbrëmë zyrtarisht kandidati për president i Partisë Republikane. Ai mbajti një fjalim nga Kulla Trump e Nju Jorkut, drejtuar me satelit Kuvendit Republikan në Klivlend të Ohajos, duke thënë se fitorja prej tij e emërimit të partisë, është diçka që ai nuk do ta harrojë kurrë. Pas një votimi dhe numërimi të votave në Kuvendin Kombëtar Republikan, zoti Trump fitoi me lehtësi të 1 237 delegatët e nevojshëm. Emërimi zyrtar erdhi në ditën e dytë të Kuvendit, i cili filloi me protestën e një pjese të delegatëve dhe me përpjekjet për të ndryshuar rregullat e Kuvendit. Rrugëtimi politik i zotit Trump nisi 13 muaj më parë dhe, gjatë kësaj periudhe, biznesmeni miliarder arriti të mundë 16 rivalë. Kjo përpjekje e tij u shoqërua shpesh me polemika brenda Partisë Republikane. Djali i tij më i madh Donald Trump Jr., njoftoi mbrëmë mbështetjen e Nju Jorkut, gjatë një numërimi zë për zë të votave në Kuvend dhe kjo i siguroi zotit Trump shumicën e duhur për t’u bërë kandidati që do të përballet më 8 nëntor me kandidaten e pritshme demokrate Hillary Clinton për Shtëpinë e Bardhë. “Urime baba. Ne të duam,” tha Donald Trump Jr., duke shpallur votën e Nju Jorkut. Rivalja demokrate e kandidatit Trump, Hillary Clinton, reagoi menjëherë në Twitter. Ajo shkroi: “Donald Trump sapo është bërë i emëruari i Partisë Republikane. Ndihmoni tani që ai kurrë të mos hyjë në Shtëpinë e Bardhë”. Zoti Trump fitoi gjithsej 1 725 delegatë, i ndjekur nga senatori Ted Cruz i Teksasit me 475. Guvernatori i Ohajos John Kasich mori 120 vota, ndërsa senatori i Floridës, Marco Rubio 114.