KRYEFAQJA » LAJME » SHBA e Kosova rikonfirmojnë miqësinë e ndërsjellë

SHBA e Kosova rikonfirmojnë miqësinë e ndërsjellë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delaui e ka cilësuar si privilegj që Shtetet e Bashkuara po festojnë 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit e saj. Në pritjen e organizuar për 4 Korrikun, ambasadori amerikan ka thënë se Kosova si shtet i ri, është ballafaquar me shumë sfida. Por, ai ka ftuar lidershipin kosovar që të marrë shembull nga Shtete e Bashkuara të Amerikës të cilat pas pavarësisë u bënë bashkë dhe krijuan një shtet ku të gjithë qytetarët ishin dhe janë të barabartë para ligjit. “SHBA-të dhe Kosova kanë miqësi e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse të dy shtetet ndajnë vlera të njëjta të paqes dhe demokracisë”, është shprehur Delaui. Ndërkaq presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se axhenda politike e Kosovës është e përputhshme me axhendën e qeverisë amerikane. “Në afat të shkurtër duhet të përmbyllim demarkacionin si kriter i mbetur për lëvizje të lirë në Europë, e në rrugëtimin afatgjatë duhet të luftojmë korrupsionin dhe ekstremizmin, dy rreziqe thelbësore që mund të na dëmtojnë rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Thaçi. Në pritjen për 4 Korrikun kanë marrë pjesë personalitetet më të larta politike vendore e ndërkombëtare në Kosovë.