KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, Gjykata e Lartë bllokon planin e presidentit për imigrantët
supreme

SHBA, Gjykata e Lartë bllokon planin e presidentit për imigrantët

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara bllokoi planin e Presidentit Obama për të shtyrë afatin e deportimit të miliona imimigrantëve pa dokumente. Ky vendim i arritur nga votimi 4 me 4 i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, la në fuqi një vendim të gjykatës së shkallës së parë, që hidhte poshtë urdhërin e zotit Obama për të vendosur një politikë të re imigracioni me urdhër ekzekutiv, pasi Kongresi nuk arriti të miratojë ndryshime të rëndësishme për imigracionin. Presidenti e cilësoi vendimin “dëshpërues” për imigrantët, të cilët sipas tij, “nuk do të jenë në gjendje të japin kontributin e tyre në vend”. Por ai shtoi se nuk do të ketë përpjekje për deportimin e imigrantëve që i binden ligjit, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara, edhe pse vendimi e lë vazhdimin e pranisë së tyre në vend në një gjendje të papërcaktuar nga pikëpamja ligjore. Ashtu si edhe në të kaluarën, Obama, kritikoi republikanët e Senatit që kanë refuzuar të shqyrtojnë emërimin prej tij të gjykatësit Merrick Garland të gjykatës federale të apeleve, si anëtar të nëntë të gjykatës së lartë, vend që ka mbetur bosh pas vdekjes së gjykatësit Antonin Scalia. Ligjvënësit thonë se emërimi për vendin e 9-të në Gjykatën e Lartë duhet bërë nga presidenti i ardhshëm, pasi zoti Obama të jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë në janar.