KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA: ISIS po përdor popullatën si mburojë njerëzore
SHBA: ISIS po përdor popullatën si mburojë njerëzore

SHBA: ISIS po përdor popullatën si mburojë njerëzore

SHBA ka akuzuar militantët e Shtetit Islamik se po përdorin qytetarët e thjeshtë si mburoja për t’i bërë ballë sulmeve të forcave ushtarake të Irakut të cilat mbështeten nga koalicioni ndërkombëtar anti-ISIS si dhe grupimet kurde në operacionet për çlirimin e qytetit të Mosulit. Kjo nuk është një praktikë e panjohur për ekstremistët e organizatës terroriste, pasi edhe në të shkuarën ata kanë shfrytëzuar civilët për t’u arratisur përmes një skemë shumë të thjeshtë. Luftëtarët e ISIS formojnë një autokolonë për të braktisur një territor ku pas përplasjeve të armatosura e kanë humbur betejën. Megjithatë, në vend që të dorëzohen, ata detyrojnë qytetarët që të rrethojnë grupimin e tyre, për t’i detyruar forcat kundërshtare që të mos sulmojnë. Rreziku i prekjes së civilëve nga operacioni për të çliruar Mosulin nga Shteti Islamik është paralajmëruar më herët edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Aktualisht mendohet se rreth 700.000 qytetarë jetojnë në zonat ku po zhvillohen luftimet. Ndërkohë, operacioni ka vijuar me ritme të kënaqshme pasi vetëm gjatë orëve të fundit qeveria irakiane e mbështetur nga koalicioni ndërkombëtar anti-ISIS ka arritur që të çlirojë dhjetë fshatra. Ata ndodhet në jug të qytetit dhe po përparojnë drejt veriut, ndërkohë që mbështetje ka edhe nga grupimet kurde. Këta të fundit janë të vendosur në lindje dhe po përparojnë drejt qendrës së qytetit. Ekspertët kanë deklaruar se në Mosul janë deri në 5.000 ekstremistë të Shtetit Islamik. Nga ana tjetër, ushtria e Irakut gëzon epërsi të theksuar pasi në operacion po angazhohet 30.000 trupa. Mosuli është qyteti i vetëm që ISIS ka nën kontroll në territorin irakian. Rimarrja e tij do të kishte një rëndësi të madhe strategjike në luftën kundër terrorizmit.