KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, Kalifornia shteti i pestë amerikan që miraton ligjin e së drejtës për të vdekur
the-right-to-die-pictuer

SHBA, Kalifornia shteti i pestë amerikan që miraton ligjin e së drejtës për të vdekur

Kalifornia u bë shteti i pestë amerikan që i lejon mjekët t’u japin ilaçe pacientëve në gjendje të rëndë për t’i dhënë fund jetës, kur ata vuajnë nga sëmundje të pashërueshme. Ligji i ri mori shkas nga historia e një 29-vjeçareje nga Kalifornia, Brittany Maynard, e cila vuante nga kanceri, së cilës iu desh të shkonte në shtetin Oregon, për t’u dhënë fund vuajtjeve. Veterani i ushtrisë amerikane, tani në pension, Matt Fairchild, është bërë ekspert për të mposhtur dhimbjen. Ai vuan nga një tip i avancuar i melanomës, që është përhapur me tumore në tru. Ai është veteran i Luftës së Dytë të Gjirit Persik. Tani përdor rreth 20 ilaçe në ditë për dhimbjet. Fairchild thotë: “Nuk mund të përdoret më rrezatimi për tumoret, sepse kam bërë më parë rreze dhe ato u rritën përsëri”. Ai e ka të qartë se jeta e tij është vetëm çështje kohe dhe kjo pasiguri po ia shton traumën emocionale familjes së tij. Bashkëshortja e tij thotë se nuk mund ta lësh njeriun që e do të vuajë. E kam parë deri tani të vuajë shumë.” Matt Fairchild, është i kënaqur që Kalifornia miratoi vitin e kaluar ligjin e të drejtës për të vdekur. Më 9 qershor ligji hyri në fuqi dhe Kalifornia bëhet shteti i pestë që i lejon pacientët në gjendje të rëndë me sëmundje të pashërueshme t’i japin fund jetës së tyre me ilaçe me recetën e doktorit. Pacientët me sëmundje vdekjeprurëse duhet të konsiderohen në gjendje mendore normale dhe duhet t’i kenë mbetur 6 muaj, ose më pak jetë, që të përfitojnë nga ky ligj. Ata duhet të shkojnë tek dy mjekë të ndryshëm në një diferencë kohore prej dy javësh për të marrë recetën e ilaçit vdekjeprurës. Ata duhet të jenë të aftë ta marrin vetë ilaçin. Ligji është mbi baza vullnetare për mjekët dhe farmacistët, të cilët mund të zgjedhin për të mos u bërë zbatues të tij. Mbrojtësit e ligjit shpresojnë se një ditë të gjithë amerikanët do të kenë mundësi të vendosin vetë për t’i dhënë fund jetës, në se janë të sëmurë rëndë.