KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, kandidati republikan për zv/president pritet të jetë Mike Pence

SHBA, kandidati republikan për zv/president pritet të jetë Mike Pence

Burime të afërta me partinë republikane, thonë se guvernatori i shtetit të Indianës Mike Pence, pritet të jetë kandidati për nënpresident që Donald Trump do të shpallë sot. Mike Pence, është një politikan konservator i Partisë Republikane, me eksperiencë në Kongres, por që është kritikuar për politikat e tij të cilësuara si diskriminuese. Pence udhëheq shtetin e Indianës që nga viti 2013 dhe është mbërthyer në një garë të ngushtë për rizgjedhjen e tij. Zyra e tij mbështet një shkurtim rekord të taksave, sidomos ndaj bizneseve, si dhe përpjekjet për një qeveri më të vogël. Në fund të vitit të kaluar ai i urdhëroi agjencitë shtetërore të pezullonin fondet për grupe që ndihmonin refugjatët në Indiana, duke thënë se ato nuk do të lejoheshin para se qeveria të sigurohej se po zbatoheshin procedurat e duhura të sigurisë. Ai ishte njëri prej disa udhëheqësve të shtetit të Indianës, të cilët u përpoqën të frenonin sistemimin e refugjatëve sirianë pas sulmeve terroriste në Paris. Një gjykatës federal e hodhi poshtë urdhërin e tij në mars, duke e quajtur diskriminues. Mike Pence, po ashtu u kritikua nga grupe të të drejtave të homoseksualëve në vitin 2015, për një ligj shtetëror, për të cilin u tha se do t’i lejonte bizneset të shfrytëzonin besimin e tyre fetar kundër homoseksualitetit. Ky ligj do t’u mohonte disa shërbime homoseksualëve. Por përveç pikëpamjeve të tij konservatore, si një buxhet më i vogël shtetëror dhe mbështetje për ushtrinë, Mike Pence është i kualifikuar në fushën e legjislacionit, që është e pëlqyeshme për të emëruarin republikan për president Donald Trump. Pence ka shërbyer për gjashtë mandate në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi u zgjodh për herë të parë në vitin 2000. Gjatë procesit të zgjedhjeve partiake, Mike Pence fillimisht mbështeti kandidaturën e senatorit të Teksasit Ted Cruz, por ai vlerësoi njëkohësisht zotin Trump, duke thënë se biznesmeni “flet në emër të miliona punonjësve amerikanëve, të zhgënjyer nga mungesa e përparimit në Uashington.